Durimi dhe qëndresa

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Esselamu Alejkum ve Rahmetullah, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju.

Në fjalimin e kësaj dite të xhumasë do të flasin për durimin dhe qëndresën që duhet pasur besimtari në kohëra të vështira.

Allahu xh.sh. me urtësinë e tijë nuk i lenë besimtarët të thonë se ata e besojnë Allahun dhe Ai ata mos ti provojë në besimin e tyre.

Allahu fuqiplotë na provon pothuajse çdo ditë, na provon me familje, na provon me prindërit, me të afërmit, me fqinjët, me të varfërit, me fatkeqësi elementare, me skamje, me sëmundje të ndryshme, me frikë, me luftë e kështu me radhë. Dhe kur besimtari apo besimtarët ballafaqohen me këso sprovash, aty çfaqet karakteri i tyre i vërtetë, sjellja, edukata, trimëria, bujaria, gadishmëria për të ju ndihmuar të tjerëve, durimi, disciplina dhe qëndresa për ta tejkaluar me sukses një gjendje të vështirë etj.

Allahu i Lartësuar në Kuranin famëlartë, në Kaptinën 2, ajetet:155-157 thot:

155. Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, 156. të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! 157. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!

Allahu xh.sh. me këtë ajet kuranor na e ka bërë me dije se ndonjëherë jeta e njeriut si ajo individuale po ashtu edhe ajo shoqërore mundë të merr një kahje krejt tjetër të padëshirueshme për ne, po ja Allahu xh.sh. sipas ajetit të lartëpërmendur don të na provoje në besimin tonë me durimin dhe qëndresën tonë. Nuk mjafton që ne vetëm të deklarohemi se jemi besimtarë të mirë pa mos me e dhënë edhe provimin nëpër situata të ndryshme.

Fëmijet provohen me rrespektin dhe kujdesin që e kanë ndaj prindërve të tyre,  prindërit provohen me fëmijët e tyre si i edukojnë dhe i mësojnë, i pasuri provohet me pasurinë e tij si e fiton dhe ku e shpenzon, bujari provohet me skamnorin duke i ndihmuar atij, mikpritsi provohet me mikun duke e nderuar ate, trimi provohet me trimërinë e tij në luftë kundër armikut e jo në paqë, politikani provohet me punën e tij duke u munduar me i realizuar premtimet e tij para votuesve të tij duke e rrespektuar ligjin dhe rendin kushtetues e shoqëror, e jo me punuar për pëfitime personale. Me fjalë të tjera Allahu i Madhërueshëm secilin prej neve e provon sipas përgjegjësive që i ka marrë mbi vete, këto përgjegjësi në terminologjinë fetare arabe quhen amanete. Allahu xh.sh. në Kurani Kerim, në kaptinën 4 ajeti 58, thot:

58. Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët.

Allahu xh.sh. në kaptinën 29, ajetet: 2-3 thot:

2. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në sprovë?! 3. Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.

Pra vëllezër dhe motra nuk mjaftojnë vetëm fjalët e bukura por duhet patjetër ato të pasohen me punë të mira dhe të dobishme. Se vetëm me punë dhe sprovë dallohen njerëzit besimtarë të vertetë dhe të sinqertë.

Edhe përhapja e koronavirusit ësht një sprovë e madhe për tërë shoqëritë dhe shtetet e botës, sidomos për ato shtete të cilat pretendojnë se kanë arritur një shkallë të lartë të drejtësisë shoqërore, politike, ekonomike, sociale humane etj.

Dhe këto shtete e kanë rastin të tregohen në vepër se janë ashtu siç pretendojnë se për ndryshe të gjitha pretendimet e tyre do të mbesin vetëm në letër dhe asgjë tjetër.

Vëllezër dhe motra,

Kjo pandemi e koronavirusit që e ka përfshirë tër botën mundë të lërë edhe pasoja negative të padëshirueshme për ne, mundë ti humbim të dashurit tanë, mundë të përhapet papunësia, të ulen të ardhurat personale, mundë të ketë edhe destabilizime sociale e politike nëpër botë etj. me fjalë të tjera deri në rivendosjen e gjendjes normale mundë të kalojnë edhe vite e vite. Për këtë edhe ne si besimtarë që e kemi besuar Allahun dhe të dërguarin e Tij, i kemi besuar parimet, mësimet dhe udhëzimet  e fesë islame madhështore, duhet të jemi të pregaditur për ti përballuar  vështirësitë eventuale për tu kthyer në jetën normale. Por me saber, durim, qëndresë, duke qenë solidarë njëri me tjetrin, duke e luftuar secili prej neve egoizmin personal e kolektiv dhe para se gjithash duke u mbështetur në fuqinë dhe mëshirën e pakufishme të Allahut xh.sh. mundemi edhe këtë situatë të vështirë ta tejkalojmë. Allahu xh.sh. thot në Kurani Kerim, në kaptinën 2, ajeti: 153.

O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.

Po ashtu Allahu xh.sh. në kaptinën 103 thot:

1.Për kohën! 2. Me të vërtetë, njeriu është në humbje, 3. përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.

E lutim Allahun e mëshirshëm që të na mbroje nga kjo pandemi e rrezikshme dhe sa ma lehtë ta tejkalojmë ate. Amin.

Imam Shaban Mehmeti