Pritja e muajit madhështor Ramazan në kohën e korona virusit

Të nderuar vëllezër dhe motra, paqa dhe mëshira e Allahut xh.sh. qoftë mbi ju!

Vëllezër dhe motra jemi në fund të muajit të bekuar Shaban dhe pas këtij muaji fillon muaji madhështor muaji i Ramazanit, të cilin Allahu i Madhëruar ate e ka dalluar nga muajt e tjerë për nga vlera e madhe që Allahu xh.xh. ia ka dhënë këtij muaji të bekueshëm.

Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thot se në këtë muaj ka zbritur Kurani famëlartë i cili u bë udhërrefyes dhe udhëzim për tërë njerëzinë, dhe kjo është një e vërtetë historike tejet e qartë, se me zbritjen Kuranit Muhammedit a.s., i cili është burim i fesë islame, dhe kjo fe u përqafua jo vetëm nga populli arab, por nga shumë popuj të tjerë të botës, ndër ta edhe ne shqiptarët, dhe kjo fe u bë bazë e civilizimit dhe e kulturës së tyre, duke luajtur një rol vendimtar në rrjedhat historike botërore.

Allahu xh.sh. thot në Kuranin famëlartë, në kaptinën 2, ajeti 185:

Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).

Po ashtu i dërguari jonë, Muhammed Musafa a.s. në hadithet e tij e ka theksuar vlerën e muajit Ramazan në të gjitha aspektet e jetës së njeriut, si ato fetare, sociale e shoqërore. Në këtë muaj shtohet dhe shpeshtohet adhurimi i shumëllojshëm ndaj Allahut xh.sh. dhe këto adhurime, sikur se janë agjërimi, namazi bashkarisht (me xhemat), zeqati e sadaka të ndryshme që jipen në fonde të ndryshme bamirëse, në rend të parë të varfërve, leximi i Kuranit, vizitat e ndërsjellta gjatë muajit Ramazan, sidomos në iftare të përbashkëta, të gjitha këto që i përmendëm, kanë për qëllim pastrimin e karakterit të njeriut, luftën e egoizmit personal e kolektiv, forcimin e lidhjeve ndërnjerëzore, duke filluar në familje e më gjërë dhe vendosja e këtyre lidhjeve në baza humane fetare. Me fjalë të tjera, të gjitha këto bëhën për hir të Allahut xh.sh. dhe jo për ndonjë interes material, politik etj. por qëllim kryesor është që secili prej neve ta arrijë shkallën më të lartë të devotshmërisë dhe kjo dëvotshmëri na sjell lumturi në këtë botë dhe lumturi të përhershme në botën tjetër.

Kur ne kështu e kuptojmë vlerën e muajit Ramazan dhe adhurimet që kryhen gjatë këtij muaji, e në rendë të parë agjërimi, atëherë ne këtë muaj si besimtar e presim me gëzim dhe të gjitha këto ibadete i kryejmë me përkushtim, durim e sinqeritet, duke shpresuar që Allahu xh.sh. të na i pranon këto ibadete dhe të na e lehtësoje jetën tonë në këtë botë dhe dhe të na shpërbleje me shpërblimet më të mira dhe më të bukura në botën tjetër.

POR VËLLEZËR DHE MOTRA!

Siç e dini të gjithë, ende vazhdojnë masat e vetizollimit social dhe distancës fizike për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të shpallura nga organet kompetente shtetërore të shëndetësisë. Edhe ne si xhemat dhe xhami nga pikëpamja fetare islame jemi të detyruar t’iu përmbahemi këtyre rregullave dhe nuk guxojmë assesi ti shkelim këto rregulla. Nëse shkelen këto rregulla rrezikojmë shëndetin individual, familjar dhe shoqëror, duke u bërë shkaktarë të përhapjes edhe më të madhe të koronavirusit dhe kështu ne i rëndojmë edhe më tepër kapacitetet e instituteve shëndetësore.

Ne si besimtarë musliman ndihemi tejet të pikëllueshëm që nuk mundemi ta falim namazin me xhemat në xhami, nuk mundemi ta falim namazin e xhumasë, ndoshta nuk do të mundemi edhe gjatë një pjese të muajit Ramazan ta falim namazin e taravive në xhami. Por ja situata është ashtu e tillë që patjetër duhet të tregojmë durim dhe rrespektim të rregullave të shpallura nga ana e shtetit. Këto rregulla nuk janë vetëm në Gjermani e Europë, por në tërë vendet islame dhe jo islame të botës dhe se këto masa parandaluese janë në interesin tonë shëndetësor.

Pra vëllezër dhe motra, të vazhdojmë të bëjmë ibadet  edhe më tutje në shtëpi, në vend të namazit të xhumasë do ta falim drekën si namazet tjera, taravitë do ti falim në shtëpi. Namazet farze dhe namazi e taravive munden të falen me xhemat nga antarët e familjes së ngushtë por secili në shtëpi të vet. Jo me shkua në iftarë të njëri tjetri, por do të bëjmë iftar vetëm me antarët e ngushtë të familjes,

Zeqatin, sadakatulfitrin e sadakat tjera, ndihmat e rregullta financiare për xhaminë etj. të gjitha këto mundeni me i krye nëpërmes internetit (online banking).

Vëllezër dhe motra,

Kjo është vetëm një sprovë nga ana e Allahut xh.sh. dhe unë shpresoj se pas kësaj duhet të dalim më të fortë në besim te Allahu xh.sh. më të përkushtueshëm në rrugën e Fesë Islame Madhështor, dhe më të vëllazërueshëm dhe më të rrespektueshëm njëri me tjetrin.

E lutim Allahun e Mëshirshëm të na ndihmojë që sa më shpejt të dalim nga kjo situatë jonormale dhe të na mbroje shëndetin tonë nga koronavirusi, ata të cilët janë të infektuar ti shëroj sa më shpejt dhe ata të cilët kanë ra viktima të korona virusit e lutim Allahun që ata ti ketë nën mëshirën e Tij të përhershme. Amin.

RRI NË SHTËPI

Imam Shaban Mehmeti