Nata e Kaderit

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Allahu xh.sh. në Kuran, në suren Kader thot:

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

1. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. 2. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? 3. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. 4. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. 5. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.

Allahu xh.sh. në këtë sure na mëson se në këtë natë Ai e ka zbritur Kuranin e Madhërishëm, dhe na e dërgoi Muhammedin a.s. mëshirë dhe udhezues për tërë njerëzinë. Me zbritjen e Kuranit Madhështor dhe më dërgimin e Muhammedit a.s u përhap feja islame madhështore me vlera të përhershme njerëzore të cilat do të vlejnë deri në ditën e mbramë të kësaj bote.

Ata të cilë e duan të vërtetën, duan ta gjejnë qëllimin dhe arsyen e jetës, duan ti realizojnë qëllimet e lumturisë së vërtetë të përhershme si në këtë botë po ashtu edhe në botë tjetër, duan të shijojnë dinjitetin e vërtetë përsonal njerëzor, duan të jenë të respektshëm dhe të respektuar, duan të jetojnë në vëllazëri të vërtetë njerëzore, duan ta gjejnë qetësinë e shpirtit dhe të zemrës, duan të gjjejnë rregull të vërtetë për rregullim individual, familjarë dhe shoqërorë, atëherë le të drjetohen dhe orientohen sipas udhëzimeve kuranore dhe sipas shembëlltyrës të të Dërguarit tonë, Muhammedit a.s.

Muhammedi a.s. ka thënë:

Unë juve ua kam lënë dy sende, nëse kapeni për to asnjëherë nuk do ta humbni rrugën, këto janë: Libri i Allahut xh.sh. dhe sunneti (tradita) i të Dërguarit të Tij.

Allahu xh.sh. e ka bërë këtë natë të vlershme sa njëmijë muaj, sa që ata të cilët e shfrytëzojnë këtë natë dhe i bëjnë ibadet Allahut xh.sh., Allahu xh.sh. me mëshirën e Tij të pakufishme ia vlerëson këtë ibadet në këtë natë si me bë ibadet njëmijë muaj që janë baraz me më tepër se 83 vjet dhe  ia falë të gjitha mëkatet e përparshme.

Vëllezër dhe motra,

me të vërtetë ia vlenë që ne ta shfrytëzojmë këtë natë dhe ti drejtohemi Allahut xh.sh. me lutje të sinqerta që dalin nga thellësia e zemrës dhe shpirtit që Ai para se gjithash të na e forcojë imanin në zemrat tona,  të na ndihmojë në kryerjen e obligimeve, të na ndihmojë në përmisimi e gjendjës sonë në të gjitha lëmitë e jetës sonë, të jetojmë në paqë me të gjithë njerëzit kudo që gjinden, të na ndihmojë që të largohemi nga egoizmi, urrejtja, punët e pamoralshme, arroganca, punët e këqija të cila na përçanjnë dhe pengojnë ndertimin tonë islame.

Po si duhet ta adhurojmë Allahun xh.në këtë natë të bekueshme?

I Dërguari jonë, Muhammedi a.s. nuk na ka lënë ndonjë formë të veçantë të adhurimit apo ibadetit. Kjo i lihet secilit musliman apo muslimane që vetë ta zgjedhë mënyrën e adhurimit. Mundet me e kaluar këtë natë duke lexuar kuran, duke u falur nafile namaz apo thjesht duke e lutur Allahun xh.sh. me lutje të zgjedhura nga tradita e Muhammedit a.s. apo të përpiluara nga dijetarët islam apo edhe duke i përpiluar edhe vetë duke i zgjedhur fjalët më të bukura për ta lutur Allahun xh.sh.

Trazmetohet se Hazreti Aishe, i kënaqur qoftë Allahu me te, e ka pyetur Muhammedin a.s. se çka duhet thënë në Natën e Kaderit, Muhammedit a.s. i tha asaj: Thuaj:

O Zoti im, Ti je falës bujar, më fal mua.

Teksti i shkurtër por domëthënja shumë e madhe, se nëse të falë Allahu xh.sh. ke fituar lumturinë e përhershme në botën tjetër.

E lutim Zotin e Madhërishëm dhe të Gjithëmëshirshëm, që ai të na i pranojë lutjet, ibadetet dhe punët e mira të tonat dhe të na bëjë prej atyreve të cilët do të jenë të gëzuar me falje nga Allahu xh.sh. dhe me fitimin e të mirave të Allahut xh.sh. si në këtë botë po ashtu edhe në botën tjetër, Amin.

Urime Nata e Bekuar Nata e Kaderit